Pogradeci ka spikatur këtë sezon turistik si një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit të eventeve, duke nxjerrë në pah jo vetëm bukuritë e tij natyrore, por edhe potencialin kulturor e artistik që ofron.
Gjatë një takimi që zhvilloi me Kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, vlerësoi punën e bërë në drejtim të organizimit të aktiviteteve që kanë sjellë gjallëri në jetën turistike të qytetit.

Çela theksoi se eventet e kategorisë Art-Fest kanë pasuruar ndjeshëm ofertën turistike të Pogradecit, duke tërhequr vizitorë vendas e të huaj dhe duke promovuar trashëgiminë, kulturën dhe mikpritjen e zonës.
Në përputhje me vizionin e Qeverisë për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor deri në vitin 2030, si dhe në kuadër të përgatitjeve për Kalendarin Kombëtar të Eventeve 2026, u theksua rëndësia e shtimit të aktiviteteve që lidhen me traditën, folklorin dhe festivalet lokale.
Për sezonin turistik 2025, Bashkia e Pogradecit renditet ndër tre bashkitë me numrin më të lartë të eventeve në rang vendi, duke e forcuar rolin e saj si një destinacion i rëndësishëm kulturor dhe turistik në juglindje të Shqipërisë.


