Pas ngjarjeve të dhunshme në Fushë-Krujë, ku ndeshja mes Ilirisë dhe Skënderbeut u ndërpre, ka reaguar shefi i klubit korçar, Ilirjan Përmeti. Ai deklaroi se futbollistët e Skënderbeut janë përballur me dhunë brenda ambienteve të stadiumit dhe se situata e krijuar e bënte të pamundur zhvillimin e takimit.
“Nuk jam këtu për të replikuar me klubin Iliria, por për të sensibilizuar opinionin sportiv dhe tifozët korçarë. Ne nuk kemi synuar kurrë të dëmtojmë askënd dhe gjithmonë kemi treguar tolerancë,” – u shpreh Përmeti. Sipas tij, incidenti ka ndodhur në dhomat e zhveshjes, ku lojtarë dhe zyrtarë të ekipit vendës kanë ushtruar dhunë fizike ndaj futbollistëve korçarë.
“Ekipi hyri në dhomat e zhveshjes dhe aty ndodhi përplasja fizike. Katër deri në pesë lojtarë tanë kishin shenja në trup, çka mund të verifikohet lehtësisht nëse kamerat kanë qenë funksionale,” – theksoi ai, duke shtuar se paniku dhe presioni nga familjarët e bëri të pamundur vazhdimin e ndeshjes.
Përmeti hodhi poshtë pretendimet se gjithçka kishte nisur pas një provokimi nga trajneri i Skënderbeut, duke theksuar se faktet flasin ndryshe.
Ndërkohë, Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht se tre lojtarë të Ilirisë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pas dhunës së ushtruar ndaj futbollistit egjiptian të Skënderbeut, Nasr.


