Kategoria e Parë vjen këtë fundjavë me emocione të forta për tifozët e juglindjes, teksa në fushë zbresin dy skuadrat që ëndërrojnë rikthimin në Superiore. Skënderbeu do të sfidojë Luftëtarin në Gjirokastër, ndërsa Pogradeci do të masë forcat në transfertë ndaj Besës së Kavajës.
Korçarët, që kanë gjetur ekuilibrin dhe rezultatet nën drejtimin e Ernest Gjokës, kërkojnë të vazhdojnë serinë pozitive dhe të mbeten pranë kreut të renditjes. Besimi është rikthyer në kampin bardhekuq, ku çdo ndeshje shihet si një hap më afër rikthimit në elitën e futbollit shqiptar.
Në anën tjetër, Pogradeci shkon në Kavajë me moral të lartë dhe me ambicien për të marrë pikë që vlejnë shumë për garën. Me një grup të disiplinuar dhe lojtarë të rinj që po rriten ndeshje pas ndeshjeje, liqenorët duan të tregojnë se janë pjesë e skuadrave që meritojnë t’i afrohen zonës së pretendenteve.
Dy duele që nuk vendosin gjithçka, por mund të përcaktojnë shumë për rrugëtimin e Skënderbeut dhe Pogradecit drejt një qëllimi të përbashkët – rikthimit në Superiore.