Mitingu botëror “Olimpik Athina” Grand Prix 1987 mblodhi në pistë emrat më të njohur të atletikës botërore, mes tyre edhe rekordmenin e famshëm të 100 metrave, kanadezin Ben Johnson. Në këtë aktivitet prestigjioz morën pjesë edhe dy atlete shqiptare, Pavlina Evro Ylli dhe Anila Menkshi, të cilat arritën rezultate të shkëlqyera në garat e tyre.
Anila Menkshi garoi në distancën 1500 metra dhe u rendit e treta, duke fituar medaljen e bronztë me kohën 4’11’’28. Ky rezultat i dha asaj të drejtën për të marrë titullin “Mjeshtre e Merituar”, që, siç thekson sportistja, nuk i është akorduar ende deri më sot.
Pavlina Evro Ylli shkëlqeu në garën e 3000 metrave, duke dalë e para dhe duke fituar medaljen e artë dhe kupën e aktivitetit, në një garë me ritëm të lartë dhe kundërshtare cilësore.
Pjesëmarrja e dy atleteve shqiptare në një event të këtij niveli mbetet një kujtim i çmuar dhe një faqe e ndritur e historisë së atletikës sonë.