Prej tre javësh, 20 udhërrëfyes turistikë lokalë për Qarkun e Korçës janë angazhuar në ekspedita në terren, duke eksploruar disa nga destinacionet më tërheqëse natyrore dhe kulturore të rajonit. Ekspeditat përfshijnë vizita në Bazilikën e Linit, Varret Monumentale të Selcës së Poshtme, Urën e Golikut, si dhe në fshatrat turistikë Voskopoja, Sinicë e të tjera zona me potencial të lartë turistik. Po ashtu, udhërrëfyesit kanë zhvilluar praktika në Shpellën e Trenit dhe Rezervatin Natyror të Cangonjit, duke njohur nga afër pasuritë e biodiversitetit dhe trashëgimisë lokale.
Ky program i përgatitjes së guidave lokale, që po zhvillohet nga Këshilli i Qarkut Korçë në bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës (UNIKO), synon të krijojë një brez të ri profesionistësh të turizmit. Projekti pritet të ketë impakt të ndjeshëm në zhvillimin e turizmit rajonal, duke forcuar ofertën për vizitorët vendas dhe të huaj, si dhe duke promovuar turizmin e qëndrueshëm në të gjithë territorin e qarkut.
Në përfundim të programit, udhërrëfyesit do të jenë të certifikuar dhe të gatshëm për të ndihmuar në promovimin e pasurive kulturore, historike dhe natyrore të Korçës – një hap konkret drejt forcimit të identitetit turistik të rajonit juglindor të vendit.


