Po nuk këndova një serenatë në ditë nuk jetoj dot, kitaristi veteran Pandeli Tasellari nuk i ndahet korit ‘Lira edhe në moshën 91 vjeçare.
Aty nga mesdita, me ecjen e tij karakteristike, duke mbajtur duart të kryqëzuara pas shpine si ata burrat e qëmotit, Pandeli Tasellari që në Korçë e njohin si Pana, del nga banesa dhe shkon të takohet e pushojë me miqtë e tij te lulishte ‘Shën Maria’.
Me gjithë moshën 91 vjeçare e hallet e jetës që dallgëzojnë mbi çdo njeri, Pana ndreq shtatin dhe çapitet të kuvendojë bisedat e ditës me miqtë e tij. Edhe atë pak kërrusje të kurrizit, duket sikur ja ka sjellë kitara ‘peshën’ e së cilës e ka ndier që në rini e deri më sot. Pak ditë më parë, teksa kremtohej 50 vjetori i Ansamblit ‘Skënderbeu’ Pana me kitarën mbi shpinë ishte nga të parët që shkonte në prova.
Pjestar i korit karakteristik ‘Lira’ që nga vitet 1955-1956, Pandeli Tasellari mbetet veterani virtuoz i këtij formacioni në kitarë. Ka parë dhe përcjellë breza të ndryshëm, dhe sot e kësaj dite, ata që intepretojnë me kitara te ky kor janë nxënësit e tij.
‘Kam punuar mbi 35 vite si instruktor muzike i kitarës te ish shtëpia e pionierit në Korçë. Ilkë Doko dhe Kostika Zdruli që janë nxënësit e mi tani janë pjesë e korit Lira’ thotë Pana i njohur i kitarës në Korçë.
Ai kujton se që kur ishte 12 vjeç, së bashku me vëllain e tij Nesti Tasellari, aty nga viti 1947 e nisën pasionin muzikor duke blerë një kitarë për 1500 lekë atë kohë në pazarin e vjetër të Korçës. Pas kursit të mandolinës me mësuesin Lefter Furxhi, për djaloshin me origjinë nga Polena Pandeli Tasellari nisi një rrugë e gjatë përmes telave të kitarës.
Si çdo i moshuar dhe korçar që ka jetuar me serenatat, Pana ka nostalgji ato mbrëmjet kur dilnin e këndonin rrugicave me kitarë. ‘Ka qënë një kohë kur bënim serenatë me Raqi Miten, diku atje te lagjia 5 në Korçë. Edhe kur binte shi, këndonim nën ombrella. Pas na ndiqnin një dyzinë të rinjsh nga 10 veta a më shumë’ kujton Pandeli Tasellari, teksa i njomen me lotë sytë nga nostalgjia.
Brumë i vjetër i serenatave të Korçës, Pana edhe tani në moshën 91 vjeçare duket sikur merr frymë jete nga kitara dhe serenata. ‘Pa i rënë kitarës dhe pa kënduar një serenatë nuk dal nga shtëpia apo të fle’ thotë veterani kitarist i Korçës.
Prodhim i redaksisë Kolibri.al


