Ka nisur rikonstruksioni i sheshit kryesor të fshatit Pendavinj në bashkinë e Maliqit. Sheshi i ndodhur pranë kishës në qendër të këtij fshati prej vitesh ishte i mbuluar nga balta e gropat, ndaj edhe u pa e arsyeshme që të punohet për rehabilitimin dhe rikonceptimin e tij.
Burime zyrtare nga bashkia e Maliqit bëjnë të ditur se pjesë e punimeve do të jenë edhe ndërtimi i trotuarëve përreth sheshit dhe përgjatë kishës, ndërsa do të ndërtohet edhe një lulishte e vogël, si dhe do të vendosen stola për qytetarët.
Banorët shprehen të kënaqur me këtë ndërhyrje, e cila do i japë një pamje më të bukur fshatit, ndërsa kërkojnë që punimet të vijojnë edhe në rrugë të tjera.
Investimi është duke u kryer me të ardhurat e bashkisë së Maliqit, në kuadër të rikonstruksionit të disa akseve rrugore në fshatra të ndryshme.


