Qyteti është përfshirë nga një frymë inovacioni me organizimin e hackathonit “Kubet e ICT”, një iniciativë e organizuar nga Bashkia Korçë, Korça Innovation Hub dhe Albania ICT Academy. Kjo garë unike ka mbledhur 450 nxënës nga 10 shkolla të ndryshme, pesë nga cikli 9-vjeçar dhe pesë nga shkollat e mesme, për t’i sfiduar në mendim krijues dhe zgjidhje teknologjike.
Nxënësit po përballen me dy sfida emocionuese: “A do të mbijetojmë në Mars?” dhe “Transporti i së ardhmes”. Në grup, ata po zhvillojnë ide novatore duke përdorur teknologji moderne si modelimi 3D, programimi dhe robotika.
Në sfidën e parë, pjesëmarrësit po hulumtojnë mundësitë për të jetuar në Mars, duke u fokusuar te burimet e energjisë, sistemet e mbijetesës dhe krijimi i një kolonie të qëndrueshme. Ndërsa në sfidën e dytë, ata po konceptojnë transportin e së ardhmes, duke përfshirë automjetet inteligjente, zgjidhjet ekologjike dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për të përmirësuar lëvizshmërinë.
Ky hackathon nuk është vetëm një garë, por një mundësi për nxënësit që të mësojnë të punojnë në ekip, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të aplikojnë teknologjinë për të krijuar ide të reja.
Me kreativitet dhe pasion, të rinjtë po projektojnë të ardhmen, duke dëshmuar se inovacioni dhe teknologjia janë çelësi për zhvillimin e shoqërisë. Ndërsa finalja afrohet, emocionet dhe pritshmëritë janë në kulm për të parë se cilat do të jenë zgjidhjet më të spikatura!


