Genti Çala siç e njohin të gjithë në Pogradec, nuk është prej atyre kandidaturave risi të partive politike që del për të kërkuar mandatin e deputetit, por një personazh i rrahur me kripë dhe uthull me politikën lokale në përgjithësi.
Çala do të merrte drejtimin e LSI Pogradec në 2015-ën kohë kur kjo parti u ristrukturua pasi humbi zgjedhjet lokale dhe prej asaj kohe udhëheq këtë parti në disa fushata edhe pse pa ndonjë sukses të lartë. Në fakt që prej 2015 LSI e atëhershme sot PL u përball me një hemorragji shumë të rëndë largimesh nga radhët e saj, çka solli edhe tkurrjen e votave për këtë parti.
Edhe në zgjedhjet e fundit LSI e drejtuar nga Çala në Pogradec e bashkë me atë të Korçës pësoi disfatën më të fortë, pasi nuk arriti të prodhonte një deputet në Qarkun e Korçës.
Këto zgjedhje doktori vjen si drejtues qarku i kësaj force politike dhe garon në listë të hapur me demokratët kundër PS.
Çala është prej atyre mjekëve që nuk meret vetëm me mjekësi, vazhdimisht në profilin e tij ai flet për situatën politike, ekomomike, sociale deri edhe tek denoncimet e tenderave.
Genti vjen me një karrierë të gjatë mjekësore në Spitalin e Pogradecit më herët si drejtues i tij e akoma më herët si mjek në fshatrat e thella të Mokrës.
Ndryshe nga kanditatët e tjerë të Opozitës ai është njohur për një gjuhë politike të qetë dhe korrekte dhe jo fyese. Ai ka zgjedhur të bëjë gjithmonë një fushatë prej babaxhani, por që jo në shumë raste i ka rezultuar me sukses kjo për shkak të zhvillimeve që jo pozitive që ka pasur në partinë që ai aderon.
Çala është ndër të paktët që edhe në ditët e vështira të PL nuk e ka braktisur atë por ka qëndruar aty për ta mbajtur gjallë atë. Këtë herë ai vjen si kandidati i vetëm i PL duke kërkuar mandatim, fokusin e ka vënë tek fermeri në juglindje dhe hallet e tyre.
Por a do të arrijë Çala të japë “dozën” e duhur të ilaçit shërues tek votuesit? Kjo mbetet për tu parë.


