Reshjet e dëborës të orëve të fundit shoqëruar me temperatura që kanë shkuar deri në – 7 gradë celsius në juglindje të vendit kanë dëmtuar në përqindje të madhe drufrutorët.
Sipas specialistëve të bujqësisë dëmet më të mëdha i kanë pësuar qershia, kumbulla, kajsia e pjeshka e hershme.
Dritan Rukaj dhe Arian Cenkollari kanë sipërfaqe të konsiderueshme të mbjella me kumbulla të hershme, sipërfaqe që për shkak të temperaturave të ulëta rrezikojnë prodhimin e pritshëm.
Për të shpëtuar këtë prodhim fermerët kanë qënë të detyruar t’i rikthehen metodave tradicionale të ndezjes së zjarreve me qëllim krijimin e temperaturave të duhura për të shmangur ngricat.
Në qarkun e Korçës ka një sipërfaqe prej 4200 hektarësh me drufrutore, kryesisht mollë, kumbull e qershi. Dy të fundit janë të rrezikuara nga temperaturat e ulëta të këtyre ditëve.


