
Një qytetare nga Korça ka denoncuar një klinikë estetike në qytet, pasi trajtimi me lazer që kreu atje i shkaktoi djegie të rënda në lëkurë. Sipas saj, stafi i klinikës “Laser Center Korçë” ka kryer trajtimin në mënyrë të gabuar, duke i shkaktuar dëmtime serioze, ndërsa më pas, në vend që të merrnin përgjegjësinë, i sugjeruan të bënte solar për të “rregulluar” problemin. Ky veprim, sipas qytetares, ka rënduar edhe më shumë gjendjen e saj dhe ka ngritur shqetësime mbi kujdesin dhe profesionalizmin e stafit të klinikës.

Në denoncimin e saj, qytetarja ka dërguar edhe foto për të vërtetuar dëmtimin që ka pësuar dhe ka treguar se ka përjetuar dhimbje të forta si pasojë e trajtimit të gabuar. Ajo ka kontaktuar disa herë me pronaren e klinikës, por nuk ka marrë asnjë përgjigje, duke e cilësuar këtë si një akt papërgjegjshmërie dhe neglizhence nga ana e stafit.
Duke bërë publik rastin, ajo kërkon që të parandalohet rrezikimi i vajzave të tjera nga trajtime të pasigurta dhe jo profesionale. Gjithashtu, qytetarja kërkon që autoritetet shëndetësore dhe ato për mbrojtjen e konsumatorëve të ndërhyjnë për të siguruar që trajtimet estetike të kryhen sipas standardeve të sigurisë, si dhe të mbrohen të drejtat e pacientëve.



