Reshjet e dëborës shoqëruar me temperatura të ulëta në juglindje të vendit kanë sjellë dëme të konsiderueshme në frutukulturë, kryesisht në kumbull dhe qershi.
Jorgo Braholli ka sipërfaqe të tëra me këto kultura, i cili tregon se prodhimi i këtij viti është shkatërruar i gjithi.
“Deri dje ishim 80% të rrezikshmërisr, me rënien e borës e temperaturat – 7 gradë celsius, sipas studimeve, kumbulla e qershia nuk rezistojnë dot.
Është 100%, nuk ka këtë vit kumbulla e qershi, bëj thirrje ministrisë së bujqësisë për të shpallur gjendjen e alarmit në juglindje të vendit. Nuk ka fruta Juglindja” – tha Jorgo Braholli.
Një gjë e tillë është pranuar nga specialisti pranë drejtorisë rajonale të ekstensionit bujqësor Arben Hysolli, i cili pranon se dëmet janë në shkallë të lartë.
“Është e vërtetë, kulturat bërthamore janë më të rrezikuara në situatën që na shoqëroi me dëborë e ngrica. Ka kaluar në zona të veçanta deri në – 7. Do ketë një rrezik dëmtimi potencial. Por besoj se dëmtimi do jetë serioz në këto kultura” – u shpreh Arben Hysolli.
Fshatrat Dvoran e Kamenicë janë të njohura për prodhimin e frutukulturës, ndërsa pritet pas 72 orësh për të kuptuar në qoftë se dëm ka edhe tek molla.


