Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka ngritur alarmin për një tjetër rast mashtrimi kibernetik që po qarkullon në mënyrë të shpejtë në platformën WhatsApp, duke rrezikuar të dhënat personale të qytetarëve.
Mesazhi vjen me një formulim miqësor dhe emocional, ku thuhet:
“Përshëndetje! Ju lutem votoni Albinën në këtë sondazh, ajo është vajza e një miku im. Çmimi kryesor është një bursë për arsim falas për të gjithë vitin e ardhshëm. Kjo është shumë e rëndësishme për të. Faleminderit shumë!”

Më pas, mesazhi përmban një link që çon drejt një faqeje të rreme:
https://dancerschoose.com/home/voteAL8
Ky është një mesazh tipik phishing, që ka për qëllim të mashtrojë përdoruesit dhe të vjedhë të dhëna personale si fjalëkalime, të dhëna bankare apo informacione të tjera sensitive që ndodhen në telefon.
AKSK bën apel të fortë:
“Ky është një mesazh mashtrues! Mos klikoni në link, mos e shpërndani dhe fshini menjëherë mesazhin. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë raste të tilla pranë autoriteteve përkatëse.”
Këto sulme janë të menduara për të prekur emocionalisht qytetarët, duke përdorur justifikime si ndihmë për një bursë apo përfitim humanitar, për t’i bërë ata më të predispozuar të klikojnë pa e menduar gjatë.
Çfarë duhet të bëni nëse merrni një mesazh të tillë?
• Mos klikoni në linkun e dërguar
• Mos e shpërndani mesazhin
• Fshijeni menjëherë
• Raportoni rastin pranë AKSK apo institucioneve që merren me sigurinë kibernetike
Qytetarët duhet të jenë gjithnjë të vëmendshëm përballë mashtrimeve online, të cilat po sofistikohen gjithnjë e më shumë.


