Shërbimi Zjarrfikës në bashkinë e Korçës ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e sezonit veror, me qëllim parandalimin dhe reagimin e shpejtë ndaj zjarreve në pyje, kullota apo zona të banuara. Falë menaxhimit të mirë të punës, ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe bashkëpunimit të ngushtë me njësitë administrative, rastet e zjarreve janë reduktuar ndjeshëm.
Shefi i sektorit të ndërhyrjes operacionale dhe shuarjes së zjarreve, Alfred Kalemas, tha se edhe sezoni dimëror kaloi pa probleme, pa pasur raste zjarresh me pasoja në njerëz.
“Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi në Korçë është i pajisur me mjetet e duhura për t’iu përgjigjur situatave të emergjencës në një kohë të shkurtër dhe me efikasitet të lartë,” theksoi Kalemas.
Në fokus të këtij sezoni do të jetë jo vetëm gatishmëria teknike dhe operacionale, por edhe sensibilizimi i komunitetit për të shmangur zjarrvëniet e qëllimshme apo pakujdesitë që rrezikojnë mjedisin dhe jetën e njerëzve.


