Pedagogu i Departamentit të Historisë dhe Gjeografisë në Universitetin “Fan Noli”, Metin Venxha, ka folur për CNA në kuadër të simpoziumit “Llazar (Zai) Fundo-figurë e shquar e mendimit shqiptar dhe europian” të mbajtur në Korçë.
Në një reagim për CNA, Venxha e cilëzoi figurën e Llazar Fundos si një figurë dinamike dhe komplekse.
Më tej pedagogu Venxha tha se Llazar Fundo ishte një njeri i lirë, demokrat i vërtetë dhe lirinë e tij e pagoi shumë shtrenjtë.
“Llazar Fundo është një personalitet i historisë së Shqipërisë së shekullit të XX. Ai ka dhënë një kontribut të vyer në fushën politike, në fushën intelektuale në gjysmën e parë të shekullit XX në historinë e Shqipërisë. Është një figurë dinamike, komplekse, që aktivitetin e vet e zhvilloi në vitet 1920-1940, thënë ndryshe në vitet ndërmjet dy luftërave botërore dhe si i tillë ai sigurisht që implementon dhe ideologjitë totalitare të cilat ishin në rendin e ditës në atë periudhë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën. Llazar Fundo është një intelektual i kategorisë së parë, ai merr pjesë aktivisht në atë që ne njohim si “revolucioni i qershorit”. Ishte politikisht afër Fan Nolit, kontribuon në mënyrë aktive në këtë revolucion, pas datës 1 gusht 1924 është dhe drejtuesi kryesor i Shoqërisë Bashkimi, duke thënë që revolucioni i qershorit dhe shoqëria Bashkimi luajnë rolin më pozitiv në vitin 1924, periudhë ku shteti shqiptar tronditet nga 3 ngjarje të rëndësishme siç ishte atentati i Zogut, vrasja e amerikanëve në Mamurras dhe vrasja e Avni Rustemit që në të njëjtën kohë ishte e drejtues i shoqërisë Bashkimi, e më pas drejtimi merret nga Llazar Fundo. Rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet në dhjetorin e 1924, bën që bashkë me Fan Nolin, ndjekës e përkrahës të tyre, edhe Fundo të kalojë në emigrim dhe gjithë pjesën tjetër të jetës deri në pushtimin e Shqipërisë në 1939, të qëndrojë në Europë. Rikthehet në Shqipëri, merr pjesë në mënyrë aktive në lëvizjen antifashiste si një idealist dhe në funksion të një Shqipërie të lirë e demokratike, internohet nga fashistët në Itali, rikthehet dhe fundi tragjik i tij është sepse Llazar Fundo ishte një njeri i lirë, demokrat i vërtetë dhe lirinë e tij intelektuale e pagoi shumë shtrenjtë”, tha Venxha.
Marrë nga CNA


