Një 49-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Pogradecit, pasi theu masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe dhunoi bashkëshorten e tij.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 22 maj 2025, në fshatin Mëmëlisht, ku shtetasi P. F., ndërkohë që ishte në arrest shtëpie për veprën penale “dhunë në familje”, ka goditur me sende të forta bashkëshorten e tij dhe është larguar menjëherë nga banesa.
Pas ndjekjeve intensive dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arritën të lokalizojnë dhe arrestojnë 49-vjeçarin, i cili ishte shpallur në kërkim.
Bashkëshortja e tij ndodhet aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.


