Policia e Korçës ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, si pjesë e operacionit të koduar “Dozat”, i zhvilluar në qytetin e Bilishtit.
Në kuadër të këtij operacioni, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Devoll, arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 28 vjeç, banues në Bilisht, i cili u kap duke shitur lëndë narkotike të dyshuar si kanabis.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë edhe shtetasi A. B., 22 vjeç, banues në Hoçisht, Devoll, i dyshuar se kishte blerë një sasi kanabisi nga i arrestuari.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi dhjetëra doza kanabisi të ndara gati për shitje, një sasi lënde narkotike në formë boçe, dy peshore elektronike dhe dy aparate celularë.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore, nën akuzën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


