Puna në kantierin e Lotit 7 të aksit rrugor Elbasan–Qafë Thanë, një segment kyç i Korridorit VIII, vijon me intensitet të lartë. Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga zhvillimet në terren, ku aktualisht po realizohen veprat e artit rrugor, bokset dhe nënkalimet.
Ky segment i ri shtrihet përgjatë lumit Shkumbin, në një gjurmë krejtësisht të re, me një gjerësi prej 22 metrash dhe katër korsi lëvizjeje. Investimi synon jo vetëm përmirësimin e qarkullimit dhe shkurtimin e kohës së udhëtimit, por edhe rritjen e parametrave të sigurisë për përdoruesit e rrugës.
Ndërhyrja në këtë aks ofron gjithashtu një zgjidhje afatgjatë për problematikat e lidhura me shtratin e lumit Shkumbin, i cili për vite me radhë ka pasur mungesë ndërhyrjesh. Rruga do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetet përreth, duke i lidhur më lehtësisht me qendrat administrative dhe kufitare, ndërkohë që nxjerr në pah edhe bukuritë natyrore të zonës me një fushëpamje panoramike mbresëlënëse.


