Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e sotme pranë fshatit Bulgarec, në aksin rrugor që lidh këtë zonë me qytetin e Korçës.
Një automjet në të cilin po udhëtonin disa persona të një familjeje, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në anë të saj. Dyshohet se shkak për aksidentin ka qenë humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit.
Si pasojë e daljes nga rruga, tre persona kanë mbetur të lënduar. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se fatmirësisht të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë transportuar për mjekim në spitalin rajonal të Korçës.
Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor, i cili ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.


