Edhe këtë vit, Mitropolia e Shenjtë e Korçës organizoi kampin veror ditor për fëmijët, tashmë një traditë e mirëpritur dhe e shumëpritur nga komuniteti. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Manastirit të “Fjetjes së Hyjlindëses Mari” në fshatin piktoresk të Boboshticës, duke mbledhur rreth 100 fëmijë të moshës 6 deri në 15 vjeç.
Tema e këtij edicioni ishte “Shenjtorët – miqtë tanë më të mirë”, e cila synonte të afronte fëmijët me jetën dhe mësimet e shenjtorëve të krishterë përmes një programi të pasur edukativ e argëtues. Gjatë ditëve të kampit, fëmijët morrën pjesë në aktivitete që ushqejnë shpirtin dhe mendjen, duke ndërtuar miqësi të reja dhe duke mësuar vlera të rëndësishme si dashuria, respekti dhe bashkëpunimi.
Përmes lojërave, punëtorive krijuese, mësimeve shpirtërore dhe momenteve të gëzueshme së bashku, kampi ofroi një eksperiencë të plotë, ku edukimi fetar shoqërohej me argëtim dhe socializim. Klerikë të Mitropolisë dhe vullnetarë u kujdesën për mbarëvajtjen e programit dhe krijimin e një ambienti të ngrohtë e mikpritës për fëmijët.
Fëmijët vetë janë shprehur se kampi është një vend ku kanë mësuar gjëra të reja dhe kanë kaluar kohë cilësore me bashkëmoshatarët e tyre, duke e përshkruar si një nga eksperiencat më të bukura të verës.
Mitropolia e Korçës vijon kështu me përkushtim misionin e saj edukativ dhe shpirtëror, duke e kthyer kampin veror në një ngjarje të veçantë për jetën e fëmijëve dhe komunitetit.


