Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Kolonjës, ku është gjetur një trup i pajetë në gjendje të dekompozuar. Sipas informacioneve paraprake nga policia, rreth orës 15:00, pranë stacionit elektrik në fshatin Shtikë është konstatuar trupi i një personi ende të paidentifikuar.
Nga të dhënat e para, dyshohet se bëhet fjalë për një mashkull, ndërsa niveli i dekompozimit tregon se ai ka ndërruar jetë prej disa ditësh. Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Aktualisht, po punohet për identifikimin e viktimës, ndërsa do të pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes nëse bëhet fjalë për një rast natyror, aksidental apo kriminal.
Ngjarja ka ngritur shqetësim në komunitetin lokal, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që mund të kenë informacion lidhur me personin e pajetë, të ndihmojnë në identifikimin e tij.


