Në pikën kufitare të Qafë-Thanës janë krijuar radhë të gjata automjetesh, duke shkaktuar vonesa të gjata për qytetarët shqiptarë dhe të huaj që udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut. Prej më shumë se dy orësh, udhëtarët presin në temperatura të larta, për shkak të ngadalësimit të procedurave të kontrollit kufitar.
Burime nga terreni bëjnë me dije se shkaku kryesor i kësaj situate është mungesa e stafit të mjaftueshëm në kabinat e kontrollit të palës maqedonase. Kontrolli në këtë pikë kufitare realizohet në mënyrë të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre maqedonase, por ngërçi ka ardhur si pasojë e kapaciteteve të kufizuara nga pala fqinje, ao edhe me probleme ne sistemin kompjuterik.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për pritjen e zgjatur dhe mungesën e informacionit nga autoritetet. Ndërkohë, strukturat shqiptare janë në ndjekje të situatës, në pritje që autoritetet maqedonase të ndërhyjnë për të rritur efektivët në shërbim dhe për të lehtësuar fluksin në këtë pikë hyrëse që gjatë verës përballet me një numër të lartë udhëtarësh.


