Kujtojmë “Bandën e Lirisë” – Dëshmorët që bashkuan pushkën me muzikën në shërbim të Atdheut
Më 17 korrik 1911, në Orman Çiflig pranë Korçës, u flijuan gjashtë të rinj idealistë, anëtarë të “Bandës së Lirisë”, një formacion unik që bashkonte muzikën, edukimin fizik dhe luftën për pavarësi në funksion të ndërgjegjes kombëtare.
Dëshmorët e betejës së Orman Çifligut:
- Petraq Krastafillaku
- Bajazit Rehova
- Odisea Kota
- Kostaq K. Kosturi
- Kristaq Furxhi
- Nuçi Lapi
Këta të rinj ranë në një përplasje të armatosur kundër pushtuesve osmanë, duke u bërë simbol i sakrificës, kurajës dhe vizionit për një Shqipëri të lirë, të arsimuar dhe me identitet të fortë kombëtar.
“Banda e Lirisë” u themelua më 1 tetor 1908, me nismën e klubit patriotik “Dituria Shqip” në Korçë, nën drejtimin e mësuesit dhe dirigjentit Paskal Anibale. Ajo kishte një mision shumëplanësh:
- Përhapte muzikën, gjimnastikën dhe vallen si mjete edukimi patriotik.
- Performonte himnin kombëtar me tekst të Hil Mosit dhe muzikë të Anibales.
- Synonte të formonte një brez të ri të ndërgjegjshëm dhe të gatshëm për t’i shërbyer Atdheut.
Në rregulloren e saj thuhej qartë:
“Qëllimi i kësaj shoqërie do të jetë të punojë me bashkim për të përhapur dhe të mbrodhësuar mësimin të muzikës, të gjimnastikës dhe të valles në mes të shokëvet të shoqërisë.”
Sot, më shumë se 110 vite më vonë, kujtojmë me nderim “Bandën e Lirisë” – një shembull frymëzimi për brezat që vijnë.
“Me pushkë dhe penë për mëmëdhenë.”


