Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka njoftuar mbi një sërë ngjarjesh të ndodhura në ditët e fundit në territorin e qarkut, që kanë çuar në arrestime dhe procedime penale për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë arrestuar në flagrancë një 21-vjeçar nga Korça, i identifikuar si V. Z., i cili u kap duke drejtuar një automjet pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij u gjet dhe u sekuestrua një mjet prerës (thikë). Në vijim, u procedua penalisht edhe pasagjeri i automjetit, shtetasi R. T., 22 vjeç, pasi iu gjet një sasi lënde narkotike, e dyshuar si kanabis.
Në Devoll, policia ka arrestuar në flagrancë një 55-vjeçar, A. L., banues në fshatin Vranisht, i dyshuar për ushtrim dhune fizike ndaj babait të tij. Po në këtë bashki, një tjetër shtetas, M. D., u procedua penalisht pasi u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje.
Në territorin e bashkisë Korçë janë regjistruar disa procedime penale. Shtetasi K. N., 44 vjeç, nga fshati Leshnjë, u referua në Prokurori pasi goditi me send të fortë një 55-vjeçar, për motive të dobëta. Ndërkohë, shtetasit B. M., 70 vjeç dhe M. M., 44 vjeç, banues në Korçë, dyshohet se kanë zaptuar një sipërfaqe toke në pronësi të një 52-vjeçari. Një tjetër rast dhune u regjistrua në fshatin Voskop, ku shtetasi I. D., 61 vjeç, dyshohet se ka goditur me send të fortë një tjetër shtetas, po për motive të dobëta.
Në Pogradec, janë referuar materialet për dy të rinj 19-vjeçarë, O. M. dhe M. M., të cilët u kapën duke transportuar lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Lënda drusore u sekuestrua si provë materiale.
Ndërkohë, në aksin “Korçë-Ersekë” vijojnë hetimet për aksidentin rrugor të ndodhur ditën e djeshme. Është proceduar penalisht shtetasi B. D., 66 vjeç, nga Gjirokastra, për shkelje të rregullave të qarkullimit. Po ashtu, në një tjetër ngjarje rrugore, në Korçë, është proceduar penalisht 30-vjeçari K. T., pasi automjeti që drejtonte u përplas me një motomjet, duke shkaktuar dëmtime të lehta pasagjerit të këtij të fundit.
Në aspektin e emergjencave civile, më datë 23 korrik, rreth orës 16:30, në lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me bimësi. Paraprakisht dyshohet se shkaku ka qenë një shkëndijë elektrike nga një shtyllë tensioni të mesëm e rrëzuar. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.
Gjithashtu, në fshatin Vranisht të Devollit, rreth orës 12:30 të së njëjtës ditë, ka ndërruar jetë në banesë shtetasi A. G., 86 vjeç. Nga të dhënat e para dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Materialet procedurale për të gjitha rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme hetimore.


