Ilirjan Selmani, 31 vjeç, i arrestuar për vrasjen brutale të 52-vjeçares Kozeta Teço në Pogradec, ka dhënë një dëshmi tronditëse para policisë, ku pohon se kishte një lidhje trevjeçare me viktimën dhe, pavarësisht diferencës në moshë, thotë se e donte.
“E doja. Mosha nuk më bënte përshtypje. Vij nga një familje e mirë dhe nuk dua të shihem si vrasës,” ka deklaruar ai, duke shtuar se marrëdhënia mes tyre ishte e trazuar nga xhelozia, përdorimi i alkoolit dhe dhuna.
Selmani ka pohuar se e dashura shpesh dehej dhe ushtronte dhunë ndaj tij, por ai e duronte, sepse ndiente dashuri. “Ajo pinte shpesh. Njësoj bëja edhe unë. Na bashkonte dashuria dhe alkooli. Kohët e fundit më godiste. E duroja… derisa nuk munda më.”
Ai ka tentuar të justifikojë praninë e gjurmëve të gjakut në banesë duke thënë: “Peshqirët me gjak i hodha në mbeturina, mendova se mund të ishte therur ndonjë pulë. Ishte shumë e fiksuar pas pastërtisë.”
Sipas hetimeve, Selmani e ka goditur disa herë me thikë Kozeta Teçon pas një konflikti, duke i shkaktuar vdekjen në vend. Më pas ka tentuar të zhdukë gjurmët duke i vënë flakën banesës.
Ndaj tij është lëshuar urdhër-arrest nga Prokuroria e Korçës dhe ndodhet tashmë në pranga.


