Si sot, më 9 nëntor 1917, para 108 vitesh, u ekzekutua në Selanik një prej figurave më të shquara të historisë sonë kombëtare, atdhetari Themistokli Gërmenji.
I lindur në Korçë në janar të vitit 1871, Gërmenji u rrit me ndjenjën e fortë të dashurisë për atdheun. Në vitin 1892 ai mërgoi bashkë me të vëllanë Telemakun drejt Rumanisë, ku punoi si çirak dhe u mor me tregti, por mbi të gjitha u përfshi në veprimtarinë e shoqërive patriotike “Drita” dhe “Dituria”.
Pas Revolucionit xhonturk të vitit 1908, hoteli “Liria” në Manastir — që Gërmenji e zotëronte me të vëllain — u kthye në një vatër të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në vitin 1911 ai u lidh me rrethet arbëreshe të Italisë dhe më pas me një qendër patriotike shqiptare në Korfuz, ku dha një ndihmesë të çmuar. Me shpalljen e pavarësisë, në vitin vendimtar 1912, Gërmenji u vu në krye të një çete të armatosur në krahinën e Korçës dhe bashkëpunoi ngushtë me qeverinë e Ismail Qemalit. Në vitet 1913–1914 shërbeu në administratën e shtetit të ri shqiptar.
Në periudhën 1916–1917 ai luajti një rol kyç në nënshkrimin e Protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, përmes të cilit u shpall Krahina Autonome e Korçës — një moment historik për vetëqeverisjen shqiptare.
Por, vetëm një vit më pas, Gërmenji u arrestua dhe u dënua me vdekje nga një gjyq ushtarak francez në Selanik, nën akuza të pabazuara. Sipas dëshmive, para pushkatimit ai tha fjalët që mbetën të përjetshme:
“Mos m’i lidhni sytë. Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. Skuadrës së pushkatimit ia jap vet urdhrin për zjarr.”
Në këtë përvjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi figurën e tij përmes një publikimi me foto të rralla — Gërmenji me Nikolla Ivanajn, njoftimin për përurimin e bustit të tij në 10-vjetorin e ngritjes së flamurit në Korçë, si dhe dokumentet që dëshmojnë propozimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor për ta dekoruar me titullin “Hero i Popullit”.
Themistokli Gërmenji mbetet simbol i qëndresës, i dinjitetit dhe i përkushtimit ndaj Shqipërisë.


