Në kuadër të forcimit të shërbimeve të kujdesit parësor, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, zhvilloi një vizitë inspektuese në Qendrën Shëndetësore të Udënishtit, ku u njoh nga afër me punën, përkushtimin dhe shërbimet që ofrohen për banorët e zonës.
Gjatë takimit me stafin mjekësor, ministrja vlerësoi angazhimin e mjekëve dhe infermierëve në ofrimin e kujdesit të përditshëm për komunitetin, duke theksuar rëndësinë e një rrjeti të fortë të kujdesit parësor në çdo cep të vendit.
“Synimi ynë është që çdo qytetar, kudo që ndodhet në Shqipëri, të ketë akses të barabartë në shërbime cilësore shëndetësore. Shëndeti fillon nga parandalimi, kujdesi i përditshëm dhe bashkëpunimi mes institucioneve,” – u shpreh ministrja Sala gjatë vizitës.
Në qendrën e Udënishtit, falë bashkëpunimit të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Pogradec dhe MSHMS-së, po vijon përmirësimi i kushteve të punës dhe shërbimeve për banorët, duke e kthyer kujdesin për shëndetin në një prioritet të përbashkët për komunitetin dhe institucionet.


