Propozimi i Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke shkrirë 15 prej tyre. Në juglindje të vendit, ndryshimi më i rëndësishëm prek drejtpërdrejt rajonin tonë: Maliqi propozohet t’i bashkohet Bashkisë së Korçës.
“Pavarësisht kundërshtive, në juglindje socialistët janë të mendimit që Maliqi të bashkohet me Korçën”, raportohet në dokumentin e propozimit, i cili mbetet ende në fazën e diskutimit publik.
Në rast se miratohet, ky bashkim do të vendoste të gjithë Fushën e Korçës — një nga zonat më pjellore bujqësore të vendit — nën një njesi të vetme administrative dhe ekonomike. Sipas argumenteve që parashtrojnë mbështetësit e reformës, një territor i unifikuar do të mundësonte planifikim të përbashkët të ujitjes dhe kullimit, menaxhim më koherent të infrastrukturës rrugore që lidh fshatrat me qytetin, si dhe një zë të vetem në negociatat për investime e fonde zhvillimi.
Mbështetësit e propozimit theksojnë gjithashtu se konsolidimi do t’i shmangte mbivendosjet administrative mes dy bashkive fqinje, do t’i ulte kostot operative dhe do t’i jepte zonës një peshë më të madhe demografike e fiskale në raport me qeverisjen qendrore. Për bujqësinë dhe agropërpunimin — dy shtylla të ekonomisë lokale — një bashki e vetme do të thoshte skema mbështetjeje të njësuara dhe zinxhir furnizimi më i integruar nga ferma te tregu.
Modeli i propozuar, sipas dokumentit, merr parasysh “largesitë e skajshme, praniën e minoriteteve, vijueshmërinë gjeografike, aksesin rrugor dhe veçoritë identitare të territoreve”. Bashki të tjera si Tropoja, Hasi dhe Skrapari ruhen si raste të veçanta.
Propozimi nuk është ende vendim: ai i nënshtrohet diskutimit publik dhe procedurave parlamentare, ndërsa në disa zona të vendit janë shprehur tashmë kundërshtime ndaj bashkimeve të parashikuara.
Burimi: web, Top Channel


