Skuadra e Skënderbeut do të përballet me Kukësin në një ndeshje miqësore të mërkurën, më 5 gusht, në orën 18:00, në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”. Ky takim zhvillohet në kuadër të fazës përgatitore që të dyja ekipet po kryejnë në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik.
Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje pas rezultateve pozitive në testet e tyre të fundit. Korçarët, të cilët drejtohen nga trajneri Ahmataj, regjistruan një fitore me rezultatin 2-1 kundër Besës. Nga ana tjetër, ekipi i Kukësit, nën drejtimin e teknikut Bledi Kadiu, vjen pas një suksesi të pastër 2-0 të arritur ndaj skuadrës së Ilirisë.
Përballje e veçantë për gjashtë lojtarë korçarë
Një detaj interesant i këtij takimi miqësor është prania e gjashtë futbollistëve me origjinë nga Korça në radhët e ekipit verilindor. Lojtarët Lamellari, Mejdani, Dervishaj, Laze, Korçari dhe Zaçellari do të zbresin në fushë për t’u përballur me ekipin e qytetit të tyre.
Kjo sfidë pritet t’u shërbejë stafeve teknike të të dy klubeve si një provë e rëndësishme për të konsoliduar grupin dhe për të parë gjendjen e lojtarëve përpara fillimit zyrtar të kampionatit.
Foto: Bufi i Urtë


