Deputeti Edmond Spaho ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qytetarëve të bashkisë Maliq, duke i akuzuar ata se në zgjedhjet e vitit 2025 kanë shitur votën për para dhe thasë me miell. Sipas tij, kjo zgjedhje ka bërë që zona të mbetet pa asnjë përfaqësues në Parlament për herë të parë në 35 vjet demokraci.
Përmes një reagimi publik, Spaho shprehet se një pjesë e mirë e votuesve, si të djathtë ashtu edhe të majtë, zgjodhën të mbështesin kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike nga qyteti i Korçës, në vend që të votonin për përfaqësuesit e tyre lokalë. Ai thekson se në shumicën e rasteve në të kaluarën, Maliqi ka pasur vazhdimisht dy deputetë dhe emra të rëndësishëm në radhët e të dyja forcave kryesore politike.
Kritikat për reformën territoriale dhe thirrja për demokratët
Duke i cilësuar si “hipokritë dhe të pafytyrë”, Spaho kritikon ata qytetarë që tani dalin në protesta dhe u bëjnë thirrje deputetëve të Korçës të mos votojnë reformën territoriale për Maliqin. “Vaj medet, koka bën koka pëson kur hapesh katër kanatesh për interesa të ditës,” shton ai në deklaratën e tij.
Në përfundim, ai u drejtohet specifikisht mbështetësve të Partisë Demokratike në bashkinë Maliq, duke u kërkuar të kenë kujdes në të ardhmen. Spaho u kërkon atyre të mos dëgjojnë udhëzimet e figurave politike si Muli dhe Ivi, të cilët sipas tij i orientuan të votonin kandidatin e Korçës. Reagimi mbyllet me një ironi, ku ai shprehet se të paktën kur ishin bashki më vete, fituan “trenin elektrik nga Maliqi tek pylli i fazanëve”.
Foto: Bufi i Urtë


