Këngëtarja nga Korça, Anxhela Peristeri, ka rrëfyer gjatë një interviste televizive një incident fizik të ndodhur vite më parë në Greqi me dy vajza greke, të cilat sipas saj kishin fyer Shqipërinë.
Gjatë bisedës në emision, artistja tregoi se nuk e ka fshehur kurrë faktin që është shqiptare, pavarësisht se kjo zgjedhje mund t’i ketë kushtuar në rrugëtimin e saj profesional. “Po të mos e kisha pranuar që isha shqiptare, ndoshta do të kisha pasur më shumë përfitime në karrierën time atje,” u shpreh ajo, duke theksuar sfidat e pranimit të origjinës në shtetin fqinj.
Përplasja fizike në moshën 20-vjeçare
Duke u ndalur tek ngjarja e së shkuarës, ku ajo reagoi fizikisht ndaj dy vajzave që fyen vendin e saj, këngëtarja e pranoi episodin me humor. Ajo theksoi se në atë kohë ishte vetëm 20 vjeçe dhe se sot, me pjekurinë e moshës, nuk do të vepronte në të njëjtën mënyrë.
“Isha e re dhe më erdhi në majë të hundës. Nuk them se ishte veprim i bukur, por në atë moment reagova ashtu. Me mendjen që kam sot, nuk do ta bëja më,” u shpreh Anxhela Peristeri, duke mbyllur kështu rrëfimin për këtë episod të veçantë të rinisë së saj.
Foto: Korça Blog


