Një 26-vjeçar ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një përplasjeje të fortë mes dy automjeteve në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Korçë-Maliq. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:00, duke përfshirë dy mjete që udhëtonin në këtë segment.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti është regjistruar në afërsi të fshatit Vashtëmi. Një automjet tip “Audi” është përplasur me një mjet tjetër, i cili pas goditjes ka dalë nga rruga. Për pasojë, drejtuesi i mjetit të përplasur, i identifikuar me inicialet O. P., 26 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Të dhënat nga vendngjarja raportojnë gjithashtu për tre persona të tjerë të lënduar; njëri prej tyre po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës, ndërsa dy vajza janë dërguar për mjekim në spitalin e Pogradecit.
Dinamika e ngjarjes sipas Policisë së Shtetit
Lidhur me këtë aksident, Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar ku sqaron rrethanat dhe jep detaje mbi të përfshirët në afërsi të fshatit Vloçisht: “Rreth orës 01:00, në aksin rrugor Korçë–Pogradec, në afërsi të fshatit Vloçisht, automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin O. P., 26 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin K. C., 27 vjeç. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi O. P. Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Audi”, shtetasi K. C., si dhe një pasagjer që udhëtonte në këtë automjet. Të dy po marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën”.
Aktualisht, grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për përcaktimin e shkaqeve të sakta që çuan në këtë aksident fatal.
Foto: Top Channel


