Krisjan Sterjo, i akuzuari për vrasjen e Johan Zukos me armë zjarri, ka dhënë dëshminë e tij të plotë para grupit hetimor, duke pretenduar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të nisur për ngacmimin e një mikeshe dhe një përleshjeje fizike ku viktima dyshohet se ka përdorur një thikë.
Dinamika e ngjarjes sipas të dyshuarit
I riu, i cili ka kërkuar një avokat falas pasi familja e tij nuk ka mundësi financiare për të paguar një mbrojtës, ka shpjeguar se gjithçka nisi kur pa automjetin tip Mercedes-Benz, C-Class me ngjyrë të zezë, që përdorej nga viktima. Sipas tij, ata kishin pasur një konflikt verbal rreth dy javë më parë.
“Kur ka kaluar me makinë, i fola dhe ai ndaloi. Qëllimi ka qenë të sqaronim konfliktin e mëparshëm me të. Menjëherë pasi automjeti ka ndaluar, i jam afruar te xhami i makinës. Në këtë moment, Johan Zuko ka nxjerrë një thikë dhe ka tentuar të më godasë,” ka deklaruar Krisjan Sterjo para hetuesve.
Sipas dosjes hetimore, i dyshuari pretendon se pas këtij momenti, Zuko ka zbritur nga mjeti për ta goditur sërish, ndërsa një person i dytë që ndodhej në makinë e ka mbajtur Sterjon. Pasi janë ndarë nga disa persona që ndodheshin aty, i akuzuari është larguar me vrap drejt banesës së tij.
Marrja e armës dhe të shtënat
Në gjendje gjaknxehtësie, i dyshuari ka marrë një armë zjarri tip pushkë që e mbante të fshehur në shtëpi, e ka futur në një thes të bardhë dhe është nisur në këmbë drejt lagjes së viktimës. Ai e ka pikasur Zukon pranë një lokali përballë një marketi.
“Në momentin kur po afrohesha drejt tij, ai më ka sharë përsëri dhe më pas është larguar me vrap. Unë e ndoqa nga pas. Ai hyri në një pallat dhe unë shkova pas tij, në atë vend e kam qëlluar me armë, duke synuar këmbët. Pas të shtënës, nuk pashë a u plagos apo çfarë i kishte ndodhur, por u largova,” ka dëshmuar ai.
Pas të shtënave, i riu ka treguar se e ka fshehur armën në disa shkurre pranë zonës së njohur si Fusha e Drurëve. Më pas, ai ka shkuar në banesë, ka futur rrobat në lavatriçe dhe është fshehur në një shtëpi të pabanuar afër shtëpisë së tij.
E kaluara e të akuzuarit
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu detaje nga e kaluara e të dyshuarit. Prindërit e tij janë divorcuar kur ai ishte vetëm dy vjeç, duke e lënë me një fëmijëri të vështirë dhe një marrëdhënie të acaruar me të atin. Sipas të dhënave, i riu ka qenë i përfshirë edhe në ngjarje të tjera në të kaluarën, përfshirë plagosjen me thikë të babait të tij rreth një vit më parë. Për ngjarjen e fundit, grupi hetimor ka mbledhur dhjetëra dëshmi nga familjarë, një vajzë dhe dëshmitarë okularë që panë të shtënat.


