Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues të Komisariatit të Himarës, pas zbulimit të një ndërtimi pa leje me pesë kate në fshatin Qeparo.
Ky vendim vjen pas arrestimit të shtetasit me iniciale L. B., banues në Laç, i cili dyshohet se kishte ngritur objektin, si dhe shpalljes në kërkim të 3 punonjësve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Himarë. Përkatësisht, kryeinspektori dhe 2 inspektorë po kërkohen nga autoritetet nën dyshimin për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas verifikimeve paraprake të policisë, punimet për këtë objekt kishin nisur që në dhjetor 2025. Gjatë kësaj periudhe, strukturat e Komisariatit të Himarës nuk kishin marrë asnjë masë për të parandaluar ngritjen e godinës apo për të vënë para përgjegjësisë ligjore personin që po kryente punimet. Objekti i ndërtuar në vendin e quajtur “Sugë” përbëhet nga një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, i ngritur plotësisht pa lejen e organeve kompetente.
Zyrtarët e pezulluar nga detyra
Me urdhër të kreut të Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor dhe ka pezulluar 4 punonjës të cilët mbanin poste drejtuese gjatë kohës kur u ngrit ndërtimi. Mes tyre është nënkomisar F. M., ish-shef i Komisariatit të Himarës dhe aktualisht shef i seksionit për trafiqet e paligjshme në Vlorë.
Gjithashtu, masa e pezullimit është dhënë për komisar E. P., ish-shef seksioni në Himarë dhe aktualisht me të njëjtën detyrë në Divjakë; nënkomisar K. P., ish-specialist për hetimin e krimit në zonën policore nr. 1, aktualisht në Vlorë; si dhe inspektor R. Ç., ndihmës specialist në zonën ku u konstatua ndërtimi pa leje.
Në përfundim të njoftimit, Policia e Shtetit ka theksuar vendosmërinë e saj për të ndëshkuar dhe larguar nga radhët e veta çdo punonjës që nuk zbaton ligjin, nuk përmbush detyrën dhe abuzon me të, duke cenuar kështu besimin e qytetarëve te forcat e rendit.


