Nëna e 20-vjeçarit Joan Zuko, i cili mbeti i vrarë pasditen e së shtunës në Korçë, ka ndarë një mesazh për të birin, duke njoftuar se ceremonia e lamtumirës do të zhvillohet më 11 gusht, në orën 12:00.
Përmes një dedikimi publik, Ornela Zuko shpreh dhimbjen për humbjen e djalit të saj. “Me zemrën e copëtuar dhe me dhimbjen më të madhe që mund të mbajë shpirti i një nëne, në pamundësi për t’iu përgjigjur të gjithëve, ju njoftojmë se më 11 gusht, në orën 12:00, do t’i japim lamtumirën e fundit birit tim të vogël, dritës së syve të mamit”, shkruan ajo.
Më tej, nëna shton: “Biri im, ti do të mbetesh përjetësisht fryma ime, dashuria ime më e madhe dhe pjesa më e shtrenjtë e zemrës sime. Mami nuk do të të harrojë kurrë dhe do të të mbajë brenda shpirtit deri në frymën e fundit. U prehsh në paqe, engjëlli i mamit!”
Kush ishte 20-vjeçari dhe dinamika e ngjarjes
Viktima Joan Zuko kishte shërbyer për më shumë se një vit si ushtar me pagesë. Rreth dy muaj më parë, ai kishte lënë detyrën me planin për të emigruar drejt Anglisë, ku jetonte vëllai i tij.
Konflikti përfundoi tragjikisht pasditen e së shtunës, kur i riu u qëllua me armë zjarri në katin e tretë të një pallati në qytetin e Korçës. Pas ngjarjes, policia dhe forcat RENEA nisën kërkimet dhe bënë të mundur arrestimin e të dyshuarit Kristjan Sterjo disa orë më vonë, në afërsi të banesës së tij.
Dëshmia e të dyshuarit dhe pistat e hetimit
Sipas dëshmisë së dhënë nga i dyshuari Kristjan Sterjo, mes dy të rinjve kishte pasur prej kohësh përplasje verbale. Ai ka pretenduar para hetuesve se konfliktet lidheshin me rivalitetin se kush ishte “më i forti” në lagje. Ndërkohë, një tjetër pistë që po verifikohet nga autoritetet lidhet me pretendimin për ngacmimin e të dashurës së të dyshuarit.
Sipas të dhënave policore, i arrestuari rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, pasi është ndaluar më herët për plagosje me thikë dhe armëmbajtje pa leje.


