Familja e 30-vjeçarit Vasil Çifligu ka nisur një apel publik për ndihmë financiare, pasi i riu po përballet prej disa vitesh me një sëmundje të rrallë neurologjike autoimune.
Gjendja shëndetësore ka ndikuar rëndë në jetën e tij të përditshme. Për shkak të natyrës komplekse dhe të rrallë të kësaj diagnoze, gjetja e trajtimit të duhur dhe sigurimi i kujdesit të specializuar mjekësor janë kthyer në një sfidë të madhe për të dhe të afërmit. Për të vazhduar këtë betejë, Vasili ka nevojë për trajtim të vazhdueshëm, i cili përfshin kosto të larta për konsultat me mjekë specialistë, ekzaminime specifike dhe medikamente.
Fushata për mbledhjen e fondeve
Për të përballuar këto shpenzime të konsiderueshme, familja ka hapur një llogari në platformën GoFundMe, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për t’i dhënë 30-vjeçarit mundësinë e vazhdimit të kurimit. Ata theksojnë se çdo kontribut financiar ose shpërndarje e apelit te miqtë dhe të afërmit është një ndihmë e çmuar në këto momente të vështira.
“Ju falënderojmë nga zemra për mbështetjen, mirësinë dhe lutjet tuaja”, është mesazhi i përcjellë nga familja e tij për të gjithë ata që solidarizohen me këtë rast.
Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë për shërimin e Vasil Çifligut, mund ta bëjnë këtë përmes linkut zyrtar të fushatës.
Foto ilustruese.


