Pas ngjarjes së rëndë në Korçë, ku një 21-vjeçar u vra nga një 20-vjeçar, një 29-vjeçar nga qyteti ka ndarë betejën e tij me varësinë ndaj lëndëve narkotike. Ai nisi përdorimin e hashashit në moshën 13-vjeçare, pas humbjes së nënës, dhe sot po trajtohet me metadon për t’u shkëputur nga një histori 17-vjeçare me heroinën.
Nga hashashi tek heroina dhe kokaina
Mungesa e kujdesit prindëror, pasi babai ishte në punë, dhe shoqëria e gabuar e shtynë të miturin drejt substancave. Në moshën 15-vjeçare ai kaloi tek heroina, ndërsa në moshën 18-vjeçare nisi përdorimin e kokainës.
“Mua më ka vdekur mamaja. Në atë kohë që më vdiq mamaja, as një vit fillova drogën, hashashin. 13 vjeç. Epo mamaja më vdiq, unë s’kisha më kë të jetoja se babai në punë. Çfarë do bëja tërë ditën unë? Në atë shoqëri rashë dhe ashtu e bëra. E gjeja unë, se s’ishte problem për ta gjetur. Nga hashashi, nga mosha 15 vjeç fillova të kuqen, heroinën. Pas 3 vitesh pastaj, kur bëra 18, fillova edhe të bardhën, kokainën. Kokainën vazhdova 2 vjet gati. Me heroinën kam gati 17 vjet. 29 jam. Tani po pi metadon, kam ca vite”, shprehet 29-vjeçari.
Pasojat ekonomike dhe përpjekja për një jetë të re
Vitet e varësisë kanë lënë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike. Për të mbijetuar, i riu tregon se ka bërë punë të rënda fizike për pagesa minimale dhe ende nuk ka një punë të qëndrueshme. Pavarësisht nevojës për para, ai thekson se nuk është përfshirë kurrë në vjedhje apo vepra penale.
“Atëherë ka qenë jeta më e bukur se tani. Më duket se atëherë kisha çdo gjë. Tani çfarë? Unë tani dal, punoj, bëj, e përse? Ka qenë e vështirë. Kam ngjitur dru në kat të shtatë për 10 mijë lekë të vjetra. Kam ngjitur rërë, punoja për njerëzit për 5 mijë lekë. Kishte ditë që më kapte edhe 7-8 mijë lekë. Si s’është e vështirë për mua? Po më doli puna merrem, s’më doli, rri. Jo, jo, jo. Asnjëherë. Për vjedhje e për kështu, asnjëherë. As edhe një herë. Dhe nuk do ta bëj. Tani nuk pi më. Pi vetëm këtë ilaç, metadonin. Unë rri vetëm me djalin e xhaxhait tim dhe djalin e hallës së xhaxhait. Dhe ata nuk pinë”, tregon ai.
Sot, 29-vjeçari është shkëputur nga shoqëria që përdor substanca dhe përpiqet të rindërtojë jetën e tij. Metadoni mbetet e vetmja mënyrë që po e ndihmon të mos rikthehet tek droga, në një betejë të përditshme pas më shumë se një dekade varësi.


