Skënderbeu ka fituar me rezultatin e ngushtë 1-0 miqësoren e zhvilluar kundër Pogradecit në stadiumin e qytetit liqenor, falë një goli të shënuar nga sulmuesi Nikola Veliçkovski.
Skuadra korçare e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj siguroi kështu një tjetër rezultat pozitiv në fazën përgatitore për sezonin e ri. Goli i vetëm i takimit erdhi pas një aksioni të rrjedhshëm nga krahu i majtë i sulmit, i cili u finalizua me sukses nga Nikola Veliçkovski, një nga afrimet e merkatos së verës për bardhekuqtë.
Testim lojtarësh para sezonit të ri
Gjatë kësaj përballjeje, të dyja skuadrat patën mundësi dhe krijuan raste të tjera për shënim, por shifrat mbetën të pandryshuara deri në fund. Kjo sfidë shërbeu si një test i rëndësishëm për të dyja kampet. Trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj, dhe ai i Pogradecit, Çela, shfrytëzuan rastin për të aktivizuar një numër të madh lojtarësh, me qëllim vlerësimin e gjendjes fizike dhe formës së skuadrave përpara startit të kampionatit.
Për sa i përket objektivave të sezonit të ri, Skënderbeu synon të bëjë një paraqitje sa më të mirë në Kategorinë Superiore. Nga ana tjetër, Pogradeci vijon intensivisht përgatitjet me synimin e qartë për t’u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar.


