Shqipëria do të krijojë për herë të parë shërbimin e specializuar të Geriatrisë, i cili do të fokusohet posaçërisht te kujdesi shëndetësor dhe mirëqenia e të moshuarve në të gjithë vendin.
Kujdes i specializuar shëndetësor për moshën e tretë
Nismën e re e bëri të ditur nga Korça Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, duke konfirmuar fillimin e punës për ngritjen e këtij shërbimi, i cili cilësohet si një model i ri kujdesi për moshën e tretë. Sipas ministrisë, struktura e re synon të ofrojë një qasje të integruar dhe të koordinuar ndaj nevojave specifike shëndetësore të kësaj grupmoshe, me qëllim rritjen e cilësisë së jetës.
Linjë këshillimi falas për të moshuarit
Paralelisht me ngritjen e këtij shërbimi, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi se qytetarët e moshës së tretë do të kenë në dispozicion Linjën e Këshillimit, e cila do të jetë e aksesueshme pa pagesë në numrin 08004042.


