Mbledhja e kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama me 12 drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe disa deputetë ka përfunduar pas 7 orësh diskutime të zhvilluara këtë të diel në qytetin e Pogradecit. Takimi u përqendrua në reformimin e shërbimeve të administratës publike, komunikimin e ri institucional, diskutimin mbi dokumentet strategjike të partisë dhe hapat drejt reformës administrativo-territoriale.
Ndryshimet në administratë dhe reforma territoriale
Sipas burimeve brenda takimit, kreu i qeverisë është ndalur veçanërisht te sjellja e administratës publike ndaj qytetarëve, duke kërkuar eliminimin e arrogancës dhe zgjidhjen më efikase të problematikave të tyre. Në tryezën e diskutimeve në Pogradec u shqyrtuan edhe dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, ku u kërkua që dokumenti “Besa” t’u shpërndahet deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të degëve. Gjithashtu, një vëmendje e veçantë iu kushtua reformës administrativo-territoriale dhe shkrirjes së mundshme të disa bashkive, ku drejtuesve politikë u është kërkuar t’u shpjegojnë qytetarëve se ky proces do të sjellë shërbime më të shpejta dhe cilësore.
Përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2027 dhe hapat e ardhshëm
Gjatë takimit u kërkua gjithashtu nisja e punës për identifikimin e figurave më pranë komunitetit për garën e zgjedhjeve lokale të vitit 2027, si dhe një prani më e madhe e drejtuesve politikë në teren. Kryetarëve të komisioneve parlamentare u është kërkuar më shumë angazhim publik dhe kujdes në përcjelljen e ligjeve te qytetarët. Punimet në Pogradec do të vijojnë edhe të hënën me raportimin e ministrave dhe drejtuesve të agjencive kryesore shtetërore, përfshirë AKSHI-n, ndërsa në javën e parë të shtatorit është parashikuar mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.


