Dega e Mjekësisë së Përgjithshme ka plotësuar të gjitha 436 kuotat e përcaktuara për vitin e ri akademik që në ditët e para të procesit të regjistrimit në arsimin e lartë. Sipas të dhënave nga Rrjeti Akademik Shqiptar, maturantët po tregohen të orientuar drejt tregut të punës, ku përveç shëndetësisë, interes të lartë po shfaqin edhe për teknologjinë e informacionit, inxhinieritë, arkitekturën dhe degët ekonomike.
Fluks në portalin U-Albania dhe ecuria e raundit të parë
Në këtë fazë të parë të pranimeve janë regjistruar tashmë mbi 30% e maturantëve. Portali zyrtar U-Albania ka regjistruar vizitueshmëri të lartë gjatë këtyre ditëve, ku aplikantët dhe prindërit e tyre ndjekin në kohë reale lëvizjen e listave dhe sinjalizimin e ngjyrës së gjelbër që njofton fitoren në një apo disa programe studimi.
Thirrja për sekretaritë dhe afatet e regjistrimit
Kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, u ka sugjeruar institucioneve të arsimit të lartë që të marrin masa në sekretaritë e tyre mësimore me qëllim përballimin e fluksit të madh të regjistrimeve. Raundi i parë i pranimeve, i cili përbëhet nga 7 nënfaza, do të mbyllet zyrtarisht më 8 shtator, për të vijuar më pas me plotësimin e kuotave të lira në ato programe ku do të ketë ende vende bosh.


