Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku 47-vjeçarja Lorena Isceri dhe ish-partneri i saj Federico Vella, 36 vjeç, kanë humbur jetën pasi ky i fundit e hodhi atë nga një urë në Barberino di Mugello dhe më pas u hodh edhe vetë në sy të patrullave të policisë.
Sipas të dhënave të para të hetimit, ngjarja kishte nisur disa orë më parë, kur Vella dyshohet se e kishte pritur viktimën në garazhin e pallatit ku ajo jetonte. Ai e kishte goditur, e kishte lidhur dhe më pas e kishte mbyllur në bagazhin e makinës. Gjatë lëvizjes në autostradën A1, 47-vjeçarja arriti të gjente në bagazh telefonin e 36-vjeçarit dhe të njoftonte numrin e emergjencës 112, si dhe një mikun e saj ku dëgjohej të thoshte: “Më ndihmo, të lutem!”.
Lokalizimi nga policia dhe fundi tragjik në autostradë
Salla operative e Firences ndoqi sinjalin GPS të celularit dhe vuri menjëherë në lëvizje patrullat e Policisë Rrugore. Efektivët mundën ta lokalizonin automjetin pranë një mbikalimi në Barberino di Mugello. Kur efektivët mbërritën, të dy ndodheshin jashtë automjetit. Sapo pa policët, Federico Vella kapi Lorena Isceri-n dhe e shtyu nga ura, duke u hedhur menjëherë pas saj. Mjekët e urgjencës nuk mundën të bënin asgjë për t’i shpëtuar.
Prapaskenat dhe postimet e fundit në rrjetet sociale
Viktima punonte në sektorin e marketingut për një kompani veterinare, ndërsa i dyshuari ishte i punësuar në një kompani të makinave me qira. Hetuesit bëjnë me dije se mes tyre kishte pasur tensione edhe pas përfundimit të lidhjes. Më 12 gusht, 36-vjeçari kishte publikuar fotografi të tyre së bashku në Instagram me mesazhin: “Ka lidhje aq të përsosura, sa edhe kur ndahen, gjurma e tjetrit mbetet përgjithmonë. Ty, gruas që kam dashur me gjithë shpirt dhe që e humba nga budallallëku im. Do të jem i yti edhe pse nuk mund të jem më.” Ndërkohë, pak orë para ngjarjes, ai kishte publikuar edhe një mesazh tjetër: “Lamtumirë të gjithëve. Të dua aq sa të mos të flas kur mund të të lëndoj.”


