Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka vizituar në banesë punonjësin e policisë Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë një operacioni në malin e Bodenit në Maliq për kapjen e të kërkuarit Violand Braçellari.
Rikuperimi pas trajtimit mjekësor në Itali
Efektivi i policisë është kthyer pranë familjes pas përfundimit të kurimit të specializuar mjekësor në Itali dhe tashmë po vijon periudhën e rikuperimit. Në aksionin e zhvilluar në zonën e Maliqit humbi jetën kolegu i tij, punonjësi i policisë Enea Mekolli.
Mbështetja institucionale për efektivin e Policisë së Shtetit
Gjatë takimit me efektivin dhe familjarët e tij, kryepolici Hita shprehu mirënjohjen për përkushtimin në detyrë dhe theksoi se sakrifica e Adriut dhe ajo e Dëshmorit të Atdheut Enea Mekolli nuk do të harrohen. Ai nënvizoi se Policia e Shtetit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe qeveria qëndrojnë pranë tij përgjatë kësaj periudhe shërimi, duke i uruar rikthim sa më të shpejtë në shërbim të qytetarëve.
Nga ana e tij, Edison Adri falënderoi drejtuesin e policisë për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe të gjithë ata që kontribuuan në mundësimin e trajtimit dhe kurimit të tij jashtë vendit.


