Me rastin e 80 vjetorit të krijimit të Çetës Partizane të Malit të Thatë, Bashkia Maliq organizoi aktivitet historiko-kulturor.
Njësia Administrative Vreshtas në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve dhe Sektorin e Trashëgimisë Kulturore, pranë Bashkisë Maliq, organizuan dhe rikujtuan formimin dhe bëmat e Çetës Partizane të Malit të Thatë.
Aktiviteti u bë në korijen e fshatit Podgorie dhe nuk mungoi as Kryetarja e Këshillit të Qarkut znj.Ana Verushi, veteranë të shumtë dhe nëpunës të ndryshëm.
Pak histori për luftën patriotike në Malin e Thatë
Zona e Malit të Thatë ka një histori të shkëlqyer luftarake për mbrojtjen e trojeve, për liri e të pavarsi, kjo falë popullit të saj patriot dhe figurave patriotike që ka nxjerrë kjo krahinë.
Në mënyrë të veçantë spikat kontributi patriotik i Sul Starovës, në krahinën e Gorës dhe Mokrës e mbi të gjitha e kapedanit të zonës Bendo Shapërdani, bir i një familjeje të thjeshtë fshatare nga Peshkëpia e Pogradecit, që udhëhoqi luftetarët shqiptarë kundër hordhive osmane të komanduara, nga Ahmet Pasha i Ohrit. Pashai i Ohrit me 40 mijë jeniçerë u mund dy herë nga Suli i Starovës e Bendo Shapërdani në vitet 1780-1790, të cilët u bënë miq dhe luftuan bashëkrisht për mbrojtjen e territorreve shqiptare nga pushtimi otoman. Figura e Bendos u perjetësua në këngët e popullit dhe në letërsinë e mëvonshme:
“Lufton Bendua veti i dhjetë,
Atje në Gurët e gjetë,
Seç u ngrit një tym përpjetë,
Lufton Bendua vet i dhjetë,
aj moj Peshkëpi e shkretë”….
Vlen të përmendet një nga përpjekia me armë në Malin e Thatë kundër forcave të Perandorisë Osmane. Në Gorë kishin bërë emër Çetat patriotike të Shahin Matrakut, Kajo Babienit dhe Ismail Dërdushës që shtrinin veprimtarinë e tyre në Ohër e Manastir.
Zona e Malit të Thatë përbente një rrugëkalimi nga perendimi në lindje, por shërbente edhe si çerdhe strehimi. Çetat e kanë shfrytezuar këtë rrugë manovrimi për të humbur gjurmët dhe për të kryer veprimtarinë e tyre patriotike.
Ngjarja e ndodhur në vitin 1889 në Malin e Thatë mbi Podgorie na sjell në kujtesë vargjet që flisnin për përpjekjet e çetës së Shahin Matrakut me ekspeditat turke. Turqit rrethuan çetën mbi Podgori. Çeta doli nga rrethimi, por një nga luftetaret mbeti i vrarë. Kënga shpreh dhimbjen e luftëtarëve të çetave për shokun e tyre:
Në Malin e Thatë një tabor nizamë,
Na rrethuan çetën,
rrethimin e çamë
Dikja me Hilminë u sulën te parë,
Dike kapedani na mbeti i vrarë….
Xhonturqit për të mbrojtur Perandorinë nxorrën ligje për ndalimin, krijimin e klubeve dhe shoqërive me bazë nacionale.
Ata, në vitin 1909, u përpoqën të ndalonin veprimtarinë e çetave dhe nisën luftën për likujdimin e çetës së Kajo Bobienit dhe asaj të Ismail Derdushës, i cili ishte nipi i Kajo Babienit.
Në pranverë të vitit 1911 forcat e kajmekamit të Pogradecit u nisën në drejtim të Gurit të Kamjes për të nënshtruar Gorën dhe për të mbledhur taksat me një ekspeditë me mbi 1OO vetë. Këtu i priste çeta e Ismail Dërdushës, u zhvilluan luftime të ashpra dhe çeta e Ismailit e vuri përpara dhe e ndoqi ushtrinë e ekspeditës deri në Vërdovë në hyrje të Pogradecit…
Por këtë humbje nuk e harroi kajmekami. Ai zbuloi që Çeta e Ismail Dërdushes strehohej në Podgorie dhe në mes të dhjetorit 1911 kur kishte gati dy metra borë, dërgoi forca të shumta e rrethoi fshatin, por çeta doli nga rrethimi.
Gjatë luftimeve mbeti i plagosur në fund të fshatit një nga luftetarët, trimi Seit Zagorçani. Ismaili me të marrë vesh qe shoku mbeti i plagosur kthehet dhe e merr në shpinë. Duke iu ngjitur kodrës me të plagosurin, qëllohet nga i mori plumbi të dy dhe mbetën monument i bardhë në mes të borës. Populli u këndoi:
Podgori e shkretë,
mbushur me nizamë,
Qaje nënë qaje Ismail Kapedanë,
Mbeti bashkë me trimin,
Seit Zagorçanë
Qaje nenë qaje Ismail Kapedanë
Gunën të dhirtë,
këpucët me anë
Qaje nenë , qaje Ismail Kapedanë…
Viti 1918. Lufta I Botërore mbaroi, por Korça dhe Pogradeci, Gora dhe zona e Malit të Thatë, mbetën nën sundimin e ushtrisë franceze, të cilët po bënin pazarllëqe me Greqinë dhe Serbinë për ta ndarë Shqipërinë. Serbia kërkonte nga Franca që Pogradeci me rrethinat e tij t’i jepej asaj, sipas një marrëveshjeje të bëre me qeverinë e Esat Pashës në vitet 1914-1915 me qe se pellgu i Liqenit të Ohrit dhe Strugës i ishte dhënë Serbisë.
Kurse Greqia nën flamurin e Vorio-Epirit kërkonte Korçën, ndërsa Gora të ndahej mes Koçës dhe Pogradecit .
Konferenca e Paqes që u mbajt në janar 1919 ne Paris ku morën pjesë shtetet fituese të Luftës I Botërore, Anglia, Franca, Italia, dhe SHBA ku SHBA u shpreh kundër pazarlleqeve që bëheshin kundër Shqipërisë.
Më 7 maj 1919 u mbajt në Podgorie një miting proteste ku morën pjesë mbi 3000 vetë të ardhur nga fshatrat e Gorës, Mokrës dhe Pogradecit. Nga mitingu iu dërgua presidentit të Francës një notë, thelbi i së cilës konsistone në kerkesën e shqiptarëve për të ndaluar Serbinë të hynte në viset dhe trojet tona.
Gjithashtu në këtë notë proteste shprehej qartë gadishria e shqiptarëve për mbrojtur me gjak dhe me jetë keto troje kundër pazarllëqeve që bënin shtetet e Europës në dëm të trojeve shqiptare.
Delegacioni i SHBA-ve mbrojti të drejtat e Shqipërisë për Korçën dhe Pogradecin bashkë me rrethinat e tyre (Botim i Gazetes “Kuvendi” të Sotir Gjikës, botuar në Bari të Italisë, më 25 qershor 1919).
Kjo traditë patriotike do të rrezatonte me tërë shkëlqimin e saj në Luftën e madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare, në këtë zone, e cila dha një kontribt të çmuar në çlirimin e Shqipërisë.
Ferit Çami


