Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka informuar mbi një sërë veprimesh procedurale dhe arrestimesh të kryera gjatë 24 orëve të fundit në territorin e qarkut.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin R. A., 30 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, pasi dyshohet se gjatë natës ka vjedhur një sasi të konsiderueshme produkt rrushi në magazinën e një 74-vjeçari. Sasia e vjedhur u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Po ashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin R. M., 30 vjeç, banues në Korçë, i cili u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Në momentin kur punonjësit e Policisë i kërkuan të ndalonte automjetin, ai nuk iu bind urdhrit, por u kap gjatë ndjekjes.
Në të njëjtat rrethana, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi A. Xh., 39 vjeç, banues në fshatin Velitërnë, pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur në aksin rrugor “Korçë–Maliq” u përfshi në një aksident me dëme materiale me një automjet tjetër. Për këtë rast, filloi gjithashtu procedimi në gjendje të lirë për shtetasit T. G., 31 vjeç, dhe B. Ç., 56 vjeç, banues në Maliq, të cilët dyshohet se kanë dhënë deklarim të rremë para oficerëve të policisë gjyqësore, lidhur me identitetin e drejtuesit të automjetit tjetër të përfshirë në aksident.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasen J. O., 35 vjeçe, banuese në Korçë, pasi automjeti që ajo drejtonte nën efektin e alkoolit është përplasur me një automjet tjetër të parkuar.
Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit R. I., 27 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka goditur me grushte një grua 39-vjeçare, për motive të dobëta. Në gjendje të lirë nisi procedimi edhe për shtetasin D. R., 34 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij, e cila më pas është pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Gjithashtu, procedimi penal nisi në gjendje të lirë për shtetasit A. P., 45 vjeç, dhe E. D., 48 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit në një lokal në lagjen nr. 9, në telefonat e tyre u gjetën faqe sportive të përdorura për vendosjen e basteve sportive. Pajisjet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia e Korçës vijon punën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe apelon qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri.


