Policia e Korçës ka ndërhyrë me disa raste të veçanta gjatë ditës, duke vënë në pranga një drejtues automjeti dhe duke proceduar penalisht disa shtetas të tjerë.
Në flagrancë u arrestua 30-vjeçari P. Z., banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Ndërkohë, në Prokurori janë referuar materialet për disa shtetas të tjerë: L. D., 33 vjeç, dhe S. P., 40 vjeçe, që kishin krijuar zhurma shqetësuese në lokalet e tyre; A. D., 67 vjeç, i dyshuar për vjedhjen e një shume parash ndaj një gruaje; si dhe M. P., 65 vjeçe, e akuzuar se i ka shitur pa kujdes disa medikamente një 44-vjeçareje.
Gjithashtu, shtetasit K. K., 50 vjeç, dhe E. L., 51 vjeç, u proceduan pasi në lokalin e tyre u gjet një kompjuter që përdorej për baste sportive. Ndërsa 25-vjeçari V. H. ra në prangat e specialistëve për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pasi në automjetin e tij u gjetën katër goma pa dokumentacion shoqërues.
Të gjitha materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.