Specialistët e Policisë së Qarkut Korçë kanë vijuar punën për parandalimin e krimeve dhe ruajtjen e rendit publik, duke referuar disa raste të rëndësishme në Prokurori.
Në fushën e narkotikëve, shërbimet përkatëse referuan materialet ndaj shtetasit R. B., 18 vjeç, banues në fshatin Ravonik, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e dyshuar e lëndës narkotike cannabis sativa.
Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë Korçë kanë nisur procedim penal ndaj vëllezërve A. H., 30 vjeç dhe A. H., 25 vjeç, të cilët dyshohet se kanë kanosur me mesazhe një 38-vjeçare, për shkak të një konflikti me nënën e tyre, për motive të dobëta.
Në Maliq, shërbimet e policisë referuan materialet ndaj Xh. G., 22 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, pasi ka goditur me grushte një 18-vjeçar, për motive të dobëta. Po në Maliq, më 18 Nëntor 2025, dyshohet se një zjarr aksidental ka përfshirë banesën e shtetasit L. C., duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.


