Pothuajse çdo ditë, gati në të njejtin vend tek parku i liqenit, shoh një grua rreth të gjashtëdhjetave që shtyn një karrocë fëmijësh me një kukull të madhe në të. Me siguri edhe ajo më ka fiksuar, ndaj sot më ndali dhe më pyeti:
– Si të duket bebi im?
– I qetë, – i them, duke shpresuar që përgjigja ime të mos ishte ofenduese.
Gruaja u çel në fytyrë dhe gati më përqafoi.
– Të falenderoj shumë! Të gjithë të tjerët mendojnë se jam e çmendur!
Në fakt, para njëzet vitesh ashtu do të kisha menduar edhe unë.
– Tëndin e ke?
Pyetja cinike do më ndihmonte ta shkurtoja shumë kohën e të kuptuarit të asaj rrethane.
– Jo! Ky është avatari i Andreas. Nipit tim tetë muajsh që jeton në Australi dhe që unë nuk e shëtis dot. Jam katër herë gjyshe, edhe nga djali edhe nga vajza, por fëmijët e tyre vetëm në celular i kam parë.
U lehtësova.
Një nga gjërat më të vështira të kohëve të sotme është qëndrimi i duhur mbi pamundësinë e prindërimit të shumë personave. M’u duk shumë përtej dhe shumë artistike sjellja e asaj gruaje, që distanca (nuk) e pengonte të bënte gjyshen tradicionale…