Pogradeci rikthen këtë fundjavë një nga traditat më të dashura të qytetit, Festën e Verës dhe Gështenjës, një aktivitet që prej vitesh mbledh qytetarë dhe vizitorë në një atmosferë të ngrohtë, plot muzikë dhe shije karakteristike të zonës.
Eventi do të zhvillohet në qendër të qytetit, më 12 dhe 13 dhjetor, duke nisur nga ora 18:00, ku atmosfera festive do të ndizet me performancat e artistëve të njohur. Në skenë do të ngjiten Armaldo Kllogjeri, Rea Nuhu, si dhe Bledi Kaso & Hot Stuff Band, të cilët do të sjellin dy mbrëmje të mbushura me ritëm dhe energji.
Krahas muzikës, të pranishmit do të kenë mundësinë të shijojnë verën tradicionale pogradecare, gështenjat e pjekura dhe surprizat e përgatitura posaçërisht për këtë festë, që për vite me radhë ka qenë simbol i mikpritjes dhe trashëgimisë kulturore të qytetit.
Në Pogradec, tradita nis nga qilari, por kulmon në zemër të qytetit, aty ku komuniteti bashkohet për të festuar.
Qytetarët dhe vizitorët janë të ftuar të marrin pjesë dhe të përjetojnë një fundjavë të mbushur me shije, ritëm dhe atmosferë unike.


