Pianisti i njohur Robert Bisha rikthehet në Korçë me një koncert recital që emocionoi publikun lokal. Ky aktivitet është pjesë e një kalendari kulturor që synon të sjellë në qytet emra të shquar të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare, duke e kthyer Korçën në një qendër arti dhe muzike.
Në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, Bisha interpretoi me pasion vepra të kompozitorëve të mëdhenj të muzikës klasike, duke përfshirë edhe një pjesë improvizimi që i dha koncertit një karakter unik dhe magjepsës. Performanca e tij u prit me entuziazëm nga publiku artdashës, i cili shijoi atmosferën e ngrohtë dhe akustikën e jashtëzakonshme të sallës.
Ky rikthim në Korçë shënon një moment të veçantë për pianistin shkodran dhe tregon lidhjen e fortë që ai ka me qytetin, i cili gjithmonë e ka përkrahur dhe vlerësuar talentin e tij.


